Dy persona janë arrestuar në flagrancë ndërsa një tjetër procedohet në gjendje të lirë për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, në sajë të operacionit policor të koduar "Osumi".

NJOFTIMI I POLICISË

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Berat, pasi kanë grumbulluar informacione në rrugë operative në lidhje me 2 shtetas të cilët shpërndanin lëndë narkotike në doza të vogla në zonën e Çorovodës dhe posedonin armë zjarri si dhe kishin tendencë në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, kanë organizuar punën duke e ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Pas një hetimi dy mujor, mbrëmjen e djeshme është bërë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor të koduar “Osumi".

Si rezultat i operacionit të zhvilluar në qytetin e Çorovodës, në një lokal, Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Policinë lokale kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit:

P.K, 46 vjeç, banues në Çorovodë, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan,11 doza Kokainë, 520 euro, 57.400 lekë dhe 4 aparate celular.

E.H, (i dënuar më parë), 37 vjeç, banues në Çorovodë, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri Pistoletë me 6 fishekë dhe 1 dozë Kokainë, si dhe gjatë kontrollit në banesë iu gjetën një sasi farash cannabis sativa, 1 armë gjahu dhe 27 gramë lëndë narkotike Cannabis Sattiva.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin L.S, 44 vjeç,(pronar i lokalit) për veprën penale "Moskallëzim krimi".

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike", "Mbajtja e armëve dhe municioneve pa leje", "Mbajtja e armëve të gjahut pa leje", parashikuar nga nenet 283/1, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.