Sot u zhvillua seanca për 3 të arrestuarit e tjerë të dyshuar se janë përfshirë në grabitjen e 9 prillit në aeroportin “Nënë Tereza”, të cilët u lanë në arrest me burg.

Seanca u mbajt në Gjykatën e Krimeve të Rënda, aty ku një ditë më parë u shqyrtua masa edhe për Alkond Bengasin.

Për Oltjon Veselin, Saimir Çelën dhe Reinaldo Sulan u dha masa e sigurisë arrest me burg.

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Mësohet se të arrestuarit kanë mohuar se kanë lidhje me grabitjen.

Një ditë më parë Alkond Bengasi u la në masën arrest me burg, ndërsa pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka pranuar të bashkëpunojë me hetuesit duke thënë se ka qenë punëtor në servisin ku u modifikua furgoni me mbishkrimin  Hetimi Tatimor.

Ai ka pohuar para hetuesve se kishte 6 muaj që punonte aty duke dhënë edhe detaje të rëndësishme për personat që kanë kërkuar këtë modifikim të mjetit të përdorur në grabitje.

Bengasit i ëshë afruar statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë në këmbim të informacioneve të vlefshme për zbardhjen e ngjarjes.