Gjykata e shkallës së parë në Shkodër është blinduar në orët e paradites nga forca të shumta policie pasi është zhvilluar një seancë gjyqësore ndaj shtetasit Ilir Bajri Rustemi, i arrestuar si pjesë e grupit Bajri, për të cilin shteti italian kërkon ekstradimin.
Në vitin 2008-2009 gjykata e Bolonjas në Itali e ka gjykuar dhe dënuar për akuzën “trafik narkotikësh dhe shfrytëzim prostitucioni” dhe është dënuar përfundimisht me 5 vite e gjysëm burg. Ilir Bajri Rustemi ishte i pranishëm në seancë por masa e sigurisë ndaj tij u shty për një datë tjetër për shkak se nuk kishte avokatin mbrojtës.
Tashmë pritet për t’u parë nëse dënimin që ka në Itali, Ilir Bajri Rustemi pas vendimit për ekstradim dhe njohjes së këtij vendimi në Shqipëri do ta vuaj në shtetin italian apo këtu në Shqipëri. Pas seancës që zgjati jo më shumë se 10 minuta, Ilir Bajri Rustemi u shoqërua nën masa të rrepta sigurie drejt paraburgimit në pritje të seancave të tjera tek krimet e rënda dhe gjykata e Shkodrës për qëllim ekstradimi.
Ilir Bajri Rustemi u arrestua në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit “Bajri” të dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal bashkë me disa persona të tjerë ndërsa çështja ndaj tyre vijon ende tek krimet e rënda.





