Ujësjellës Kanalizime Durrës nisi investimin për rikonstruksionin e rrjetit të ri të ujësjellësit nga Mulliri i Bullgarit deri në hyrje të qytetit të Shijakut.

Ky investim realizohet me fonde të ujësjellësit dhe parashikon zëvendësimin e linjës së vjetër me një të re. Drejtori i ujësjellësit të Durrësit, Spartak Kovaçi tha se krahas rrjetit kryesor do të realizohet edhe rrjeti shpërndarës për një zonë që ka pasur problematika të shumta.

Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato tha se menjëherë pas investimit të ujësjellësit do të merren masa për nisjen e rikonstruksionit të rrugës me gjatësi 4.9 km.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizime, Alqi Bllako tha se ky investim do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me ujë të popullatës së kësaj zone.

Gjatë punimeve do të shtrohet linja kryesore me tubacion 400 mm me gjatësi 2,7 km, rrjeti shpërndarës me gjatësi 6 km, si dhe do të ndërtohen 72 kaseta shpërndarëse për instalimin e matësve të ujit.

Do të jetë një popullsi prej rreth 2 600 banorësh që përfiton nga ky investim në  Bashkinë Shijak dhe Bashkinë Durrës. Punimet pritet të realizohen brenda 2 muajsh dhe pas investimit të UKD, hapet rruga për rikonstruksionin e rrugës.