Teuta vijon përgatitjet. Në sytë e futbollistëve, por edhe stafit teknik shihej qartë zhgënjimi pas disfatës së fundit në kampionat. Stërvitja e drejtuar nga Shkëmbi dhe ndihmësi i tij Vrapi, u zhvillua në stadiumin “Niko Dovana” dhe zgjati për rreth dy orë.
Trajneri i Teutës u pa tejet kërkues, ndërsa përgatitjet nisën me vrapimet e lehta rreth fushës dhe më pas u përqendruan te pasimet e shkurta dhe koordinimi i grupit. Në fund testoi futbollistët edhe me një lojë brenda llojit. Duhet thënë që grupit iu bashkuan Tomislav Bushiç dhe Renato Arapi.
Ata kanë vijuar normalisht stërvitjen, duke dhënë sinjale rikuperimi pas problemeve fizike. I veçuar ishte vetëm mbrojtësi Erlis Frashëri, i dëmtuar kundër Tiranës. E megjithatë, mjekët besojnë se korçari brenda javës që vjen të bashkëngjitet me pjesën tjetër të skuadrës. Pas pushimit që i rezervon kalendari prej përjashtimit të Kamzës, Teuta do t’i rikthehet kampionatit vetëm javën e ardhshme, ku do të përballet me Kukësin në “Elbasan Arena”.
Ky duel pritet që të jetë mjaft interesant, pasi siç duhet që të dyja skuadrat luftojnë për të zënë një vend në Kupat e Europës dhe një fitore do u jepte më shumë kredite për të siguruar objektivin. Këto ditë do t’u shërbejnë ndjeshëm durrsakëve jo vetëm për të reflektuar, por edhe korrigjuar gabimet e shumta që kanë shfaqur rishtas. Dhe duhet thënë që kanë shumë punë për të bërë në mbrojtje, por edhe sulm.





