Që kur morën Milanin nga kinezi Jonghong Li, “Elliott” ka qenë gjithnjë e qartë për qëllimet ndaj klubit. Fondi amerikan synon një menaxhim afatmesëm ose afatgjatë për të ringritur ekipin në elitë, e më pas për ta shitur tek ofruesi më i mirë. Megjithëse menaxhojnë “Djallin” prej më pak se një viti, në drejtim të tyre kanë ardhur ofertat e para nga blerës të mundshëm të interesuar për Milanin.

Siç raporton “Milano Finanza”, Gordon Singer, djali i Pol, pronar i “Elliot” dhe Milanit është takuar me disa emisarë të “CVC Capital Partners”. Bëhet fjalë për një shoqëri financiare të specializuar në shërbime financiare, telekomunikacion, farmaceutikë dhe mallra konsumi.

Me një xhiro vjetore prej 52 miliardë dollarësh mes Azisë dhe Europës, ky fond anglez ka shfaqur interes për të blerë klubin kuqezi. Deri në vitin 2016 kanë qenë të përfshirë në botën e Formula 1, ndërsa aktualisht janë të interesuar në futboll dhe më saktësisht në Serinë A.

Milani është objektivi i tyre dhe për këtë arsye kanë takuar edhe pronarët amerikanë të klubit. Nga “Elliott” qëndrimi ka qenë menjëherë i qartë, duke pretenduar jo më pak se një miliard euro për të hequr dorë menjëherë nga “Djalli”. Megjithëse ka një pasuri prej 111 miliardë dollarësh, shifra e amerikanëve ka sprapsur të paktën për momentin fondin “CVC Capital Partners”.

Në javët e kaluara për Milanin janë interesuar edhe disa investitorë arabë, të cilët gjithashtu janë tërhequr pas pretendimeve të pronarëve aktualë të “Djallit”.

Tërheqja e të interesuarve ndikohet shumë edhe nga problemet që klubi italian ka me UEFA-n. Përjashtimet apo gjobat janë sanksione që asnjë pronar nuk i do, sidomos kur sapo merr pronësinë e një shoqërie.

Për të dëgjuar oferta të tjera apo blerës të mundshëm, duhet pritur zgjidhja e problemeve financiare të “Djallit” pas ankimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por fakti që ka ende të interesuar për Milanin, është një sinjal i qartë që klubi nuk ka humbur joshjen nëpër botë.