Prej disa ditësh, Ujësjellës Kanalizime Durrës po punon për zhbllokimin e kolektorëve të ujërave të shiut dhe ujërave të zeza. Ky kolektor ka shumë vite pa u pastruar dhe për këtë arsye gjatë sezonit të shirave ka krijuar vazhdimisht probleme me përmbytjet. Pas pastrimit të kolektorit kryesor në rrugën “Egnatia”, nga hyrja e portit deri tek ish-rajoni i policisë, mjetet e ujësjellësit janë përqendruar në rrugën “Mujo Ulqinaku” dhe rrugën “Kristo Sotiri”.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizime Durrës, Spartak Kovaçi, është shprehur se “paralelisht me punimet që po kryen bashkia për rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugëve, ne po punojmë për të zhbllokuar kolektorin e ujërave të shiut dhe të ujërave të zeza me synimin që të minimizojmë në maksimum fenomenin e përmbytjeve”.

“Të njëjtën punë që bëmë në rrugën “Egnatia”, do të vazhdojmë ta bëjmë në të gjitha rrugët e qytetit, do vazhdojmë të pastrojmë kolektorin e ujërave të shiut dhe ujërave të zeza. Momentalisht po shfrytëzojmë rastin që këto rrugë janë bllokuar nga bashkia e Durrësit për t'u rikonstruktuar dhe asfaltuar dhe po punojmë me mjetet tona teknologjike, me stafin tonë dhe ndihmën e bashkisë që të pastrojmë këto kanale dhe të minimizojmë sa më shumë fenomenin e përmbytjes”.

Kreu i Ujësjellës Kanalizime është shprehur se brenda një muaji vihet në funksion ujësjellësi i ri për qytetin e Durrësit, i cili sjell tre herë më shumë ujë sesa furnizohej qyteti më parë me synimin që furnizimi të mbërrijë në 24 orë.

“Brenda një muaji mbaron investimi i ujësjellësit të ri për qytetin e Durrësit. Fillon nga Fushë Miloti dhe vjen deri në Durrës dhe ky investim do të bëjë që të trefishohet sasia e ujit dhe brenda një kohe të shkurtër do të kemi furnizim 24 orë ujë”.

Në prag të sezonit turistik, falë disa investimeve të kryera në qytet dhe zonën bregdetare, kreu i UKD-së jep garanci se nuk ka më gropa septike apo ujëra të ndotura që të derdhen në det.

“Falë investimeve të qeverisë shqiptare, bashkisë dhe Ujësjellës Kanalizime Durrës, nga Ura e Dajlanit deri te Përroi i Agait, të gjithë qytetarët dhe bizneset janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve. Këto kanalizime shkojnë në impiantin e trajtimit në Shënavlash dhe pas trajtimit, dalin të pastra duke u derdhur në det. E gjithë kjo zonë nuk ka më gropa septike dhe nuk ka më derdhje në det”.

Gjendja e kolektorëve të ujërave të shiut paraqitet problematike, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë më shumë se 30 vjet pa u pastruar duke sjellë përmbytje të shpeshta në raste reshjesh.