Nisja e sezonit veror në 2026 rezulton të ketë qenë më e mirë se në vitin 2025 për strukturat akomoduese në Shqipëri.Gjatë muajit qershor u vu re rritje e numrit të vizitorëve që qëndruan në bizneset turistike me 17% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritje e ndjeshme u shënua edhe nga vizitat e turistëve të huaj me rreth 21% më tepër përgjatë qershorit të këtij viti.
Pra numri i regjistruar është me përafërsi 446 mijë, nga 370 mijë në të njëjtin muaj në 2025. Ndërsa numri i vizitorëve rezidentë u rrit me 7% në 2026. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se shumica e vizitorëve të huaj që u akomoduan në Shqipëri ishin shtetasit e Kosovës me 15% më pas renditet Italia me 14% dhe Polonia me 13%. Vizitorët francez dhe gjermanë janë në të njëjta shifra me 7%. Gjithashtu strukturat turistike patën shtim jo vetëm në numër vizitorësh por edhe në kohëzgjatje të pushimeve, ku net-qëndrimet u rritën gjithsej me 9.8%.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti 41,3 %, nga 39,5 % në Qershor 2025, duke shënuar një rritje me 1,8 pikë përqindje. Vizitorët preferuan më shumë zonat bregdetare dhe kanë zgjedhur kryesisht hotelet. Ndërsa bie në sy një rënie e fortë e preferencës së kampingjeve nga të huajt, ku nga 6230 në qershor të 2025, këtë vit rezulton të jetë 4553 vizitorë jorezidentë.
Megjithëse bilanci në total i një sezoni të suksesshëm turistik apo jo do të jetë në përfundim me mbledhjen e të dhënave të INSTAT nga të gjithë muajt e verës.





