Porti i Durrësit vijon të jetë një stacion i rëndësishëm për realizimin e gazsjellësit Trans-Adriatik Pipeline (TAP). Sipas zyrës së shtypit të Autoritetit Portual Durrës (APD), thuajse të gjitha mjetet lundruese që po punojnë në këtë proces, janë ankoruar që prej katër muajsh herë pas here në kalatat e portit më të madh të vendit.
Anije të tipit rimorkiator, dragë thelluese apo ponton kanë lundruar drejt Durrësit apo brigjeve në jug të vendit tonë në mbështetje të këtij projekti .
Që nga muaji prill i vitit 2016 në kalatat e portit të Durrësit janë shkarkuar dhjetëra makineri dhe pajisje, si dhe mbi 130 mijë ton tubacione, të cilat u shtruan kryesisht në territorin shqiptar ku kalonte gjurma e gazsjellësit.