Nga data 08 – 10 prill 2019, zëvendëskomandanti i Forcës Detare (FD), kapiten i rangut I Artur Meçollari zhvilloi vizitë / inspektim në zonën e operacionit të anijeve të klasit “Iliria” në detin Egje, njoftoi komanda e FD-së në Plepa të Durrësit.
Meçollari u takua me personelin e anijes “Butrinti P – 134”, ku u njoh nga afër me veprimtaritë që kryhen në kuadër të parandalimit të trafikimit të qenieve njerëzore.
Komandanti i anijes kapiten Erald Haskoçela njohu nr. 2 të FD-së me detyrat, që realizojnë në zonën e tyre të përgjegjësisë. FD-ja vazhdon pa ndërprerje të jetë pjesëmarrëse në këtë operacion të NATO që prej vitit 2016. Gjatë inspektimit, Meçollari mori pjesë edhe në ceremoninë e ndërrimit të komandantit të grupit Task Unit 01.
Kapiteni i rangut I Frank Schwarzhuber kreu për tre muaj detyrën e komandantit TU 01 dhe do të pasohet në detyrë nga kapiten i rangut I Sasha Hege Rackwitz, i cili, me rastin e marrjes së detyrës, zhvilloi vizitë në bordin e anijes “Butrinti”, ku dhe u takua me zëvendëskomandantin e FD-së dhe efektivat e anijes.
U shprehën konsideratat më të larta për kontributin e Shqipërisë në këtë operacion.





