Ministrja e Transporteve Belinda Balluku ka reaguar ashpër lidhur me grabitjen e parave në pistën e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Nga Berlini ku ndodhet për vizitë zyrtare, ministrja Balluku thotë se sistemi i sigurisë në aeroportin e Rinasit ka rënë dhe kjo është një ngjarje e rëndë, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sipas ministres, grabitjet e përsëritura tregojnë se siguria private e koncesionarit të aeroportit nuk funksionon. Balluku paralajmëron se Ministria dhe qeveria do të marrin masa të ashpra ndaj këtyre ngjarjeve të përsëritura.
“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq. Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë. Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë. Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”, thotë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Ditën e sotme, persona të armatosur dhe të maskuar grabitën paratë e një banke të nivelit të dytë që po ngarkoheshin në avion për t’u transportuar drejt Vienës. Pas grabitjes së miliona Eurove, autorët u përballën me policinë teksa po largoheshin. Nga shkëmbimi i zjarrit u vra njëri prej grabitësve, ndërsa të tjerët mundën të arratiseshin.





