Prokuroria e Përgjithshme ka thirrur mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve. Mbledhja do zhvillohet më 11 prill në orën 10:00 dhe pritet zgjedhja e Vate Stakës si anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Staka kaloi me sukses procedurën e rivlerësimit.

Zgjedhja e Stakës pritet të plotësojë vakancën e lënë në KLP pas shkarkimit të Antoneta Sevdarit. Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi shkarkimin nga detyra të Sevdarit, e cila ishte njëherësh edhe anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për mosjustifikim të mjaftueshëm të burimeve financiare të pasurisë që zotëron bashkëshorti i saj. Prokurorja e kishte kaluar vettingun duke u vlerësuar pozitivisht në të trija kriteret gjatë procesit të zhvilluar ndaj saj në KPK.

Ndërkohë Komisioneri Publik bëri ankim në KPA, duke kërkuar shkarkimin e Sevdarit me argumentin se nuk justifikon pasurinë. Gjatë procesit në Kolegjin e Apelimit, vendimi për anëtaren e KLP-së u shty dy herë dhe në fund ndonëse rrëzoi kërkesën e Komisionerit Publik, KPA vendosi shkarkimin e Sevdarit nga detyra.