Intervista e trajnerit të Teutës, Blendi Shkëmbi pas ndeshjes që durrsakët humbën me rezultatin e thellë 5-0 në transfertën kurbinase ndaj Laçit.
Çfarë nuk shkoi në këtë ndeshje, e këtë humbje të thellë?
Asgjë nuk shkoi mirë, për të disatën ndeshje dhe sot besoj se ishte ajo finalja e të keqes. Është një situatë jo e mirë e jona, të cilën nuk e kishim menduar për asnjë moment, por që na bën të reflektojmë, duke filluar nga unë i pari.
Sa mund të “qani” për atë rast të humbur, që ndryshoi edhe rrjedhën e takimit?
Në ato momente po luanim mirë dhe kishim raste për të shënuar, por siç na ka ndodhur shpesh javët e fundit, gabuam në interpretim dhe pësuam shumë gola. Ndoshta është edhe problemi im, që në momente të caktuara, nuk kam ditur të motivoj si duhet skuadrën.
Ju ishit i njëjti që motivonit këtë skuadër, edhe kur fitonit…
Të gjithë jemi të njëjtët, por ky moment po zgjat pak më tepër sesa duhet. Është një moment që duhet të reflektojnë, duke filluar nga unë i pari, pasi duhet që diçka të ndryshojë patjetër. Skuadra ka nevojë për një lloj qetësie në punë, gjë që nuk po e gjejmë dot, ndaj do të reflektojmë këto dy ditë dhe do të shohim si do veprojmë.
A mendoni se ju ndjek skuadra dhe çfarë mund të ndryshojë biseda juaj me drejtuesit e klubit? Kur thoni se po reflektoni, a po mendoni dorëheqjen?
E para është që unë mendoj se lojtarët me eksperiencë patjetër më ndjekin, madje edhe pjesa jashtë fushe është gjithçka ok. Disa prej tyre nuk po kalojnë një moment të mirë, por nuk mund të flasim për tradhti, pasi të gjithë duhet të japim maksimumin. Ndoshta edhe ne si staf kemi problemet tona, pasi nuk kemi gjetur mënyrën e duhur për ta mbajtur skuadrën në vazhdën e rezultateve të mira. Ky klub më ka hapur dyert dhe më ka dhënë besim, por është një moment që dikush duhet të marrë përgjegjësi dhe është një hap të cilin duhet ta marr unë, pasi Teutën e konsideroj si shtëpinë time. Unë nuk jam njeri që tërhiqem, por është një moment që duhet të mendoj më shumë për objektivat e skuadrës, sesa për egon time personale.





