Laçi ka mposhtur Teutën 5-0, në sfidën e luajtur pasditen e sotme në Laç, aty ku vetëm pak ditë më parë laçianët mundën Tiranën 2-0, por u eliminuan në mënyrë të hidhur nga kupa, mes penalltive të padhëna për kurbinasit dhe sherrit mes presidentëve të dy klubeve pas ndeshjes.
Sot ka qenë një stërvitore për Laçin, që ka bërë gjithçka në mënyrë perfekte, duke mahnitur me nivelin e lojës dhe mbi të gjitha dhe saktësinë para porte.
Në 90 minuta, Starova gjeti 3 pikë, golin e parë të sulmuesit Okpotu, dy gola nga Xhixha (i dyti fantastik) dhe qetësinë në renditje, sepse tashmë vendi i katërt duket gjithnjë e më i sigurt dhe sytë janë nga vendi i tretë, i Teutës.
Durrsakët kurrë këtë sezon nuk ishin paraqitur kaq dobët, duke vuajtur në çdo drejtim dhe duke pësuar gola me një lehtësi irrituese.
Duket se kualifikimi për në kupat e Europës, thuajse i sigurt, si dhe goditja morale me eliminimin nga kupa, kanë ulur përqendrimin e Teutës, me trajnerin Shkëmbi që tashmë duhet të gjejë mënyrën për të ringjallur një ekip që deri para pak muajsh mendonte edhe për kreun.





