Fillimisht do arrihet objektivi: Liga e Kampionëve. Më pas le të nisë revolucioni! Për sezonin e ardhshëm 2019-’20 parashikohet një Inter i rindërtuar. Klubi zikaltër në fakt i ka idetë e qarta lidhur me projektin dhe strategjitë. Gjithçka, siç është raportuar nga mediat italiane, pritet të nisë nga stoli, ku Luçiano Spaletit do i “duhet” t’i lëshojë vendin Antonio Kontes.

Administratori i deleguar Xhuzepe Marota ka kontaktuar disa herë ish-trajnerin e Çelsit, i cili ka mbyllur raportet me blutë dhe ka kërkuar të azhurnohet vazhdimisht mbi ngjarjet brenda ambienteve interiste. Madje, ka bërë një kërkesë fillestare: largimin e Mauro Ikardit!

Për Konten, ish-kapiteni nuk shihet si pjesë thelbësore e skuadrës. Kërkon, ndoshta jo me kosto të lartë, një sulmues më fizik: emrat më të lakuar janë Edin Xheko dhe Romelu Lukaku. Mes numrit 9, klubit dhe skuadrës situata duket të jetë zgjidhur. Duket… sepse, në fakt raporti është shtendosur, por jo tërësisht.

Pavarësisht asistit për Perisiçin në fitoren 4-0 kundër Xhenoas dhe përqafimi në grup pas penalltisë së realizuar, mbeten disa dyshime. Lojtarët dhe Spaleti prisnin disa fjalë nga bomberi përveçse rikthimit në fushë. Megjithatë, në të mirë të sezonit, që tashmë kalon në pikën kulminante, është bërë një pakt: harmoni, edhe me tifozët, për të qëndruar në zonën Champions.

Krerët zikaltër kanë premtuar rinovimin me Mauron, por në fund të kampionatit pritet “divorci”: do vlerësohen gjithë ofertat, pa bërë asnjë ulje nga 110 milionë eurot prezentë si klauzolë në kontratën e 26-vjeçarit. Përveç sulmit, edhe repartet e tjera do preken nga revolucioni. Mbrojtja do ndërtohet rreth Stefan de Vrajt dhe Milan Shkrinjarit; do qëndrojnë në Milano edhe Kuaduo Azamoah dhe Danilo D’Ambrozio, ndërsa në ardhje është Diego Godin nga Atletiko.

Te spanjollët do rikthehet Sime Vrsaljko, Miranda “sheh” nga kampionati brazilian për një vend titullari. Mesfusha do “humbasë” Zhoao Marion, Borha Valeron dhe Ivan Perisiçin; ndoshta edhe Antonio Kandreva. Në listën e dëshirave mbeten gjithmonë Ivan Rakitiç, Federiko Kieza, por edhe Lorenco Pelegrini. Merkato do ketë në kohën e vet. Tani fokusi te Champions-i.