Qeveria aprovoi krijimin e “Illyrian Guard”, e cila do të jetë me kapital 100% shtetëror, e cila pasi të regjistrohet në QKR do të ofrojë shërbime të ruajtjes fizike dhe juridike, publik dhe privat.
Zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, tha se krijimi i kësaj shoqërie është për të ofruar një standard të ri dhe për të kursyer nga buxheti i shtetit për ruajtjen e institucioneve. Efektivat e kësaj strukture do të jenë nga Policia e Shtetit.
"Burimi kryesor i rekrutimit të punonjësve do të jetë Policia e Shtetit. Në Policinë e Shtetit ka shumë njerëz me eksperiencë, të cilët për një arsye ose për një tjetër, nuk kanë pasur atë ecuri në karrierë. Flasim për ata që kanë po themi 20-25 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit. Duke qenë shoqëri tregtare mund të operojë në të gjitha fushat që e gjykon të arsyeshme dhe në të gjitha ato fusha, të cilat përveçse mund të krijojnë të ardhura, mund të jenë edhe me interes për zhvillimin e mëtejshëm. Ajo që ne mendojmë është që kjo shoqëri do jetë një element kyç për sa i përket modernizimit të Policisë së Shtetit apo të strukturave të tjera të Ministrisë së Brendshme. "
Krijimi i strukturës së re të Ministrisë së Brendshme, u paralajmërua dhe nga kryeministri i cili u shpreh se do krijohet për ti dhënë një mundësi efektivëve në moshë madhore, të cilët janë në prag pensioni.





