Përmirësimi i motit na tregon që stina e bukur e verës nuk është shumë larg dhe duhet të përgatitemi për ta pritur denjësisht atë!

Shumë persona zgjedhin këtë periudhë të luftojnë kilogramët e tepërta të marra gjatë muajve të ftohtë, kohë kur rrobat e trasha të japin komoditetin të hash ç’të duash e të mos ndihesh në faj, ose ose faji mos të të rëndojë shumë…

E nëse ke vullnet të fortë për një vendim të tillë, vendi i duhur është ushtrimi në palestër, aty çdo lëvizje trupore me ose pa pesha, shkakton tkurrje të muskulaturës trupore dhe shoqërohet me konsum energjik.   

Në një intervistë për "DurrësLajm", instruktori i njohur i qytetit bregdetar, Ani Dedja thotë se mirëqënia e njeriut lidhet në mënyrë të shëndetshme me stilin e jetesës, ku përfshin zhvillimin e një aktiviteti të rregullt fizik, të ushqyerit mirë si dhe shëndetin emotiv shpirtëror.

Por çfarë duhet të ketë parasysh çdo individ që do të nisë palestrën në kohën e pranverës?

Dedja shprehet se kushdo që është i shqetësuar për trupin dhe shëndetin e tij, parimisht duhet të bindet në vetvete dhe të dijë që lëvizja fizike është themeli biologjik nga lëvizjet ditore deri tek ushtrimet e specifikuara në palestër, të cilat duhet t’i konsiderojë një pasuri personale.

Ai këshillon se "për të ushtruarit pranveror pra sezonal, ka rëndësi kontrolli periodik i shëndetit, një kombinim mjek-instruktor:

  • Kryerja e analizave
  • Elektrograma (Ekg) nën ngarkesë
  • Eko zemre
  • Kryerja e radiografisë së mushkërive dhe vlerësimi i gjendjes së kolonës vertebrale."

"Në bazë të aftësive lëvizore individuale dhe një kartele çka tregon qëndrueshmërinë,  sistemin kardio-respirator-vaskulare të individit, përqindjen e dhjamit në trup, forcën muskulare, përcaktojmë dhe kohëzgjatjen e ushtrimeve", thotë instruktori Dedja i pyetur se sa orë gjatë javës duhet të stërviten ata.

Ndërsa përsa i përket ushqimit, Dedja këshillon:

"Të ushqyerit me kalori të tepërta sikundër ndodh shpesh, ndikon direkt në transformimin e peshës trupore dhe konkretisht në rritjen e përqindjes dhjamore të trupit. Duhet të dimë se shumë sëmundje lidhen me mbipeshën dhe obezitetin, çka rrezikojnë jetën. Kequshqyerja çon në:

  • Sëmundjet e zemrës
  • Diabetin
  • Kancerin
  • Hipertensionin
  • Hiperkorestoleminë
  • Shqetësime psikologjike.

Menuja e ushqimit është një recetë e gjithësecilit e personalizuar ku duhet të bazohet në produktet bimore, drithërat, oriz, zarzavate. Mishi rekomandohet të zëvendësohet me bizele, bishtaja, thierza, peshk, pule. Ushqime me përmbajtje të pakët sheqeri dhe kripe."

G.D.