Bashkia e Durrësit ka nisur projektin e rikonstruksionit të 10 segmenteve rrugore që përfshijnë asfaltimin dhe rikonstruksionin e trotuareve.

Puna ka nisur me riparimin e dy rrugëve në qendër të qytetit të cilat kanë dalë mjaft të dëmtuara nga stina e dimrit. Mjetet e rënda të firmës zbatuese fituese të tenderit, që prej mëngjesit të sotëm kanë bllokuar disa segmente kyçe duke asfaltuar e mbushur gropat në rrugë.

Segmenti nga sheshi “Pranvera” deri te kryqëzimi i bulevardit “Egnatia” është bllokuar gjatë ditës se sotme, paralel me segmentin nga pallati i Sportit në drejtim të shkollës “Marie Kaçulini”.

Burimet zyrtare nga bashkia e Durrësit pohuan pas interesimit të DurrësLajm se janë tenderuar 10 segmente rrugore për rikonstruksion dhe fituese e tenderit është shpallur firma nga Shijaku “Al-asphalt shpk”.

E njëjta që zbatoi edhe projektin e segmentit nga pallati i Kulturës deri në sheshin para Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Burimet pohuan se ju kërkua policisë së qarkullimit rrugor që të marrë masa për disiplinimin e qarkulimit gjatë kohës që janë parashikuar të zhvillohen punimet. Por asfaltimi i segmenteve kyçe në të nëjtën kohë në mëngjes dhe në drekë solli kaos në trafik që ditën e parë.

Pavarësisht se policët e qarkullimit kanë devijuar trafikun në këto orare ka qënë e pamundur për të lëvizur në Durrës duke ditur që rruga nga pallati i sportit te stadiumi mban peshën kryesore të lëvizjes së disa shkollave që gjenden në këtë zonë përveç dendësisë së madhe të popullsisë.

Megjithatë shumë qytetarë durrsakë shprehen se ky është asfalt elektoral për aq kohë sa segmentet rrugore shtrohen me urgjencë para zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë sektori i Policisë Rrugore në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bën me dije që për disa ditë, për shkak të punimeve që po kryhen nga ana e Bashkisë Durrës rruga "Mujo Ulqinaku", do të jetë e bllokuar dhe nuk do lejohen të qarkullojnë automjetet.

Policia Rrugore kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve që të përdorin rrugë alternative deri në përfundim të punimeve. Gjithashtu edhe forcat e policisë bashkiake të qytetit asistojnë gjatë zbatimit të projektit në rrugët e Durrësit.

K.H.