Departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit ka regjistruar tërmetin e tretë në det brenda 48 orëve. Tërmeti me manjitudë 3.2 është regjistruar pranë Gjirit të Lalzit.

Data 31 mars dhe 1 prill kanë qenë shumë intensive përsa i përket lëkundjeve të tokës në Durrës. Tërmeti i parë është regjistruar në orën 7.51 të së dielës dhe kishte manjitudë 3.2 ballë.

Ai është pasuar nga lëkundje të tjera, ku më të fortat kanë qenë 3.8 dhe 3.6 ballë. Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar plot 13 tërmete në rajonin e Durrësit, ndërkohë që bashkë me këtë të sotmin e çojnë në 14 tërmete në harkun e 30 orëve të fundit.

Në muajin korrik të vitit të kaluar toka në Durrës u trondit për shumë ditë me rradhë, ku lëvizja më e fortë ishte 5.2 ballë dhe shkaktoi dëme materiale në disa shtëpi në Hamallaj, që ishte vatra e tërmetit më të fuqishëm. Lëkundjet e shpeshta shkaktuan në atë kohë shkaktuan shqetësim tek qytetarët durrsakë.

Detajet për lëkundjen sizmike të ditës së sotme: 

Data: 01/04/2019. Ora: 11:57:28. M=3.2.
Vendi: Deti Adriatik, 14 km në perëndim të Hamallajt, Gjiri i Lalëzit. Koordinatat: 41.46° N, 19.32° E Thellësia: 21 kilometra
.