Policia Bashkiake ka nisur punën për largimin e lypësave nga rrugët kryesore të Durrësit, të cilët janë kthyer të shumtë në numër dhe në shqetësim për qytetarët e vendit.

Një grup të pastrehësh, që fati i keq iu ka rënë për të fjetur rrugëve, pasi vetë ata nuk kanë asnjë vend ku të flenë dhe shteti po ashtu nga ana tjetër nuk mundet t’iu sigurojë një vend strehimi, prej disa muajsh flenë në qendër të Durrësit. Marrin disa batanije, i vendosin poshtë strehës së galerisë pranë Xhamisë, dhe aty kalojnë netët me radhë. E gjatë ditës, vijojnë me itinerarin e tyre të lypjes…

Por, teksa një pjesë e tyre thjesht shtrin dorën, ka dhe nga ata që shqetësojnë kalimtarët, madje edhe nga ata që guxojnë të vjedhin. Ashtu siç ndodhi edhe në fillim të këtij muaji, në zonën më të frekuentuar të qytetit, pranë Torrës, ku një grup lypësish të vegjël, pasi i drejtohen disa makinave të bllokuara në trafik, në njërën prej tyre hapin edhe dyert më forcë dhe marrin celularin e njërës prej vajzave. (Për më shumë lexo këtu: VIDEO/ Vjedhje në mes të ditës në qendër të Durrësit).

Për të shmangur skena të tilla që shndërrohen në një imazh jo të bukur dhe të hijshëm për qytetin bregdetar të Durrësit, për më tepër, që në muajt në vijim pritet të vijnë kontigjentet e para me turistë të huaj apo pushues nga Kosova e vendet e rajonit, Policia Bashkiake ka ndërmarrë edhe nismën e largimit të lypësave, krahas shumë të tjerave siç janë ato për pastrimin e rrugëve dhe kthimin e hapësirave publike për qytetarët.