Policia e Durrësit njofton se është parandaluar grabitja me armë e një pike karburanti në sajë të operacionit të koduar "Ndjekja".

Një shtetas është arrestuar në flagrancë ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

NJOFTIMI I POLICISË

Seksioni i Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës , në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Rendit, në bazë të informacioneve policore të siguruara në rrugë operative se këta shtetas kishin planifikuar grabitjen me armë të një pike karburanti, kanë organizuar punë dhe si rezultat i përdorimit të metodave speciale të hetimit  ka finalizuar me sukses operacionin e koduar "Ndjekja ".

Gjatë operacionit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit kryesor të dyshuar, shtetasit  J.M., 26 vjeç, banues në Xhafzotaj, të cilit  në momentin e arrestimit policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatike Kallashnikov model 56, një karikator me 22 fishekë, tre maska, tre palë doreza, tre aparatë celularë dhe një thikë, sende këto që do përdoreshin për të realizuar vjedhjen me armë të karburantit .

Gjithashtu u  shpallen në kërkim shtetasit Xh.M.,22 vjeç, banues në Delvinë dhe A.C., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi në bashkëpunim me njëri -tjetrin dhe shtetasin e arrestuar në flagrancë më datë 30.03.2019 gjatë natës  kishin planifikuar grabitjen e një pike karburanti në qytetin e Durrësit.

Vazhdon puna intensive për kapjen e dy autorëve të tjerë si dhe për të bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtyre shtetasve.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasve të mesipërm për veprat penale "Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë" dhe "Mbajtja pa leje e armëve luftarake", parashikuar në nenet 140,25,22 dhe 278/1 të Kodit Penal.