Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas një interviste të investitorit nga Dubai, Mohamed Alabbar, i cili është përfshirë në projektin e ndërtimit të portit të ri turistik dhe marinës në Durrës, të njohur si “Durrës Marina”.

Në një intervistë të dhënë rreth një vit më parë, Alabbar është shprehur se ka bërë gabime në disa prej investimeve të tij, duke përmendur edhe Shqipërinë. I pyetur nëse kishte gabuar gjatë investimeve në Mal të Zi, ai është përgjigjur se gabimet kanë ndodhur në Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi.

“Po, kam bërë gabime në Shqipëri, në Serbi dhe në Mal të Zi. Për shembull, në Shqipëri kam ndërtuar shumë shpejt. Ishte një gabim. Në Mal të Zi mendoj se nuk duhet të kisha marrë pjesë në tenderin për plazhet. Ishte një ide e keqe”, është shprehur Alabbar.

Duke iu referuar kësaj deklarate, Këlliçi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si është menaxhuar projekti i Portit të Durrësit dhe i ka kërkuar SPAK-ut të nisë hetimet.

“Edhe Alabbar denoncon Edi Ramën, çfarë pret SPAK të veprojë për krimin e rëndë me Portin e Durrësit?!”, shkruan Këlliçi.

Sipas deputetit demokrat, investitori nga Dubai, të cilin e cilëson si mik të kryeministrit Rama, ka pranuar se projekti ka qenë i nxituar dhe kjo, sipas tij, paralajmëron dështimin e investimit.

“Miku i Edi Ramës Alabbar, që mori falas 80 hektarë truall në portin e Durrësit, qenka shprehur se ky projekt ishte i nxituar dhe një gabim. Alabbar paralajmëron kështu dështimin!”, deklaron Këlliçi.

Këlliçi shkruan gjithashtu se deri tani investitori nuk ka kryer investime të drejtpërdrejta në projekt, ndërsa akuzon qeverinë se janë përdorur rreth 60 milionë euro nga fondet publike përmes kontratave të porosisë.

Deputeti i është drejtuar edhe SPAK-ut, duke kërkuar “ta marrë të pandehur dhe për ta vënë para përgjegjësisë autorin e kësaj afere, që është Edi Rama?!”.

Reagimi i Belind Këlliçit: Edhe Alabar denoncon Edi Ramën, çfarë pret SPAK të veprojë për krimin e rëndë me Portin e Durrësit?!

Miku i Edi Ramës Alabar, që mori falas 80 hektarë truall në portin e Durrësit, qenka shprehur se ky projekt ishte i nxituar dhe një gabim. Alabar paralajmëron kështu dështimin!

Në kulmin e protestave kundër korrupsionit dhe arrogancës së Edi Ramës, vjen një tjetër konfirmim se Kryeministri e ka trajtuar vendin si plaçkë dhe pronë private.

Po ky rast ishte një kulm i papërgjegjshmërisë dhe tradhtisë ndaj vendit. Sepse një port 2 mijë vjeçar, me 80 hektarë truall me vlerën më të madhe në vend, ju fal mikut të Edi Ramës pa asnjë diskutim, debat, dëgjesë.

Pra Edi Rama e trajtoi nyjen më të rendesishme tregtare dhe strategjike të kombit, sikur ta kishte kopshtin e tij në Surrel.

Deri tani, miku i Kryeministrit nuk ka investuar asnjë qindarkë. Aty janë hedhur rreth 60 milionë euro të marra nga qytetarët shqiptarë me kontratë porosie.

Janë bërë disa godina që u zhytën 18 centimetra, çka hodhi dyshime mbi cilësinë e punimeve.

Edi Rama fali një pronë kaq të çmuar duke e ndëshkuar Shqipërinë, duke e rrezikuar ta lërë pa port.

Pra kemi të bëjmë me disa krime të rënda. Çfarë pret SPAK për ta marrë të pandehur e për ta vënë para përgjegjësisë, autorin e kësaj afere, që është Edi Rama?!