Ndërsa të gjithë socialistët dhe rilindasit durrsakë të mbledhur në sheshin “Liria”, po prisnin që kryeministri të artikulonte emrin e kandidatit për bashkinë e Durrësit, Rama shfrytëzoi zërin e hoxhës që kumboi nga xhamia dhe në respekt të fesë e mbylli takimin “Bashkia që duam”. Madje u duk sikur zëri i imamit i erdhi si shpëtim për të përmbyllur takimin dhe çuar të gjithë të pranishmit në shtëpi.
Thuajse të gjithë pjesëmarrësit ishin të sigurt se nga Durrësi, Rama do ta zbardhte emrin e kandidatit, por duket se kryeministri nuk ishte ende gati për ta ndarë këtë emër me socialistët durrsakë.
Më shumë sesa për investimet e ardhshme që pritet të realizohen në Durrës, Rama ishte i shqetësuar për protestat e opozitës dhe protestën e thirrur nesër për t’u mbajtur nga PD-ja në Durrës.
“Duam të punojmë akoma më shumë, të transformojmë më tej Durrësin për të përmirësuar jetën e qytetarëve”,– tha Dako në fjalën e tij, si për t’i kujtuar Ramës se e dëshiron edhe një mandat të katërt.
Por nëse ky do të jetë Gjushi, siç preferon ta thërrasë edhe vetë Rama, apo ndonjë nga kandidatët e tjerë të përfolur kjo i takon së ardhmes.
Rama kishte ardhur në Durrës për të dhënë spektaklin e rradhës, për të bërë një dorë gallatë me të mbledhurit në shesh, të cilët thuajse i detyruan të ishin aty pasditen e kësaj të premteje.
Ndërsa përsa i përket kandidatit që të gjithë e prisnin ta mësonin, Rama vendosi t’i mbajë edhe ca të karikuar duke hamendësuar se kë do të përzgjedhë. Duket se atë që ka vendosur në kokën e tij, Rama s’është ende gati ta ndajë me bazën socialiste, megjithëse pati deklaruar se kandidatët do të propozoheshin nga baza dhe do të përzgjidhej ai që gëzonte mbështetjen më të madhe.