Një pjesë e murit rrethues të Kalasë së Durrësit ka pësuar krisje. “DurrësLajm” sjell pamje filmike nga pjesa e murit e krisur, e cila lidhet direkt me “Torrën” dhe ndodhet në vazhdimësi të murit ku është një nga portat kryesore.

Nuk dihen arsyet që kanë çuar në krisjen e kësaj pjese të murit, ndërkohë që ende nuk është bërë ndonjë ndërhyrje nga ana e autoriteteve kombëtare të kulturës për të shmangur rrezikun e shembjes së saj.

Rëndësia e këtyre mureve të Kalasë së Durrësit është themelore për qytetin, pasi ato janë të vjetra sa vetë qyteti. Pamjen e tyre më madhështore, muret rrethuese të Durrësit nga Torra deri tek Amfiteatri me gjatësi 300 metra, e morën gjatë antikitetit të vonë, në periudhën e Perandorit të Bizantit, Anastas (491 -518), i cili ishte me origjinë nga Durrësi.

Kujtojmë që rreth 5 vite më parë, muret rrethuese iu nënshtruan një projekti restaurues, i cili u realizua si një bashkëpunim i DRKK-së Durrës me Bashkinë e Durrësit, i financuar me fonde të IPA-Adriatic, punime të cilat përfshinin konsolidiminim, fugatimin dhe pastrimin e vegjetacionit që kishte vite që nuk ishte bërë dhe kufizonte pamjen e saj.

Pastrimi dhe heqja e vegjetacionit nga muret e Kalasë, por edhe nga monumente të tjera të rëndësishme të qarkut të Durrësit, është një nga punimet mirëmbajtëse që kryhet në vazhdimësi nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, por situata shfaqet serioze me problematikën e konstatuar te kjo pikë e rëndësishme e qytetit tonë.