Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në një intervistë për Televizionin Shqiptar, e ka ripërsëritur deklaratën e tij, se Kosova është krahinë e Shqipërisë.
“Kam thënë atë që ka qenë, atë që është, kam thënë realitetin. E kam thënë në Prishtinë në një aktivitet dhe kam thënë: siç është Myzeqeja siç është Labëria ashtu është dhe Kosova. Sepse kështu është. Flas për Shqipërinë që ka qenë si një territor i banuar nga shqiptarët. Seç ndodhi më vonë, me zhvillimet historike dhe këtu Evropa na ka një borxh të madh, duke nisur që nga Kongresi i Berlinit…”, ka thënë Moisiu, pasi gazetari ia ka kujtuar deklaratën që kishte ngjallur reagime.
Më tej Moisiu ka sqaruar se pse Evropa u ka borxh shqiptarëve.
“Na ka borxh. Më 1913-n ministri i jashtëm i Anglisë në kongresin e ambasadorëve, kur u mbyll kjo punë, pasi raportoi në dhomën e komuneve tha: ‘zotërinj ne bëmë një gjë të mirë. Vërtet mund të na kritikojnë. Shqipërisë i kemi hyrë në hak, por rëndësi ka, jo ajo çfarë i bëmë Shqipërisë, por ajo që ne arritëm të evitojmë përplasjen mes aleatëve të mëdhenj të Evropës’”, tha Moisiu, për TVSH.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në shënim të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve, në maj të vitit 2011, kishte vizituar komunën e Skënderajt dhe kishte bërë homazhe te varri i komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari dhe të Jasharëve të tjerë dhe me këtë rast kishte thënë se Kosova është krahinë e Shqipërisë.
“Kështu ka qenë, nuk është se po e shpik unë. Ky është një realitet. Nuk duhet të kemi frikë dhe nuk duhet të druhemi që ta themi, sepse kjo është një e vërtetë historike”, ishte shprehur ai më parë.