Pas shpalljes në kërkim nga policia të Dervis Arapi, i cili dyshohet se është hakmarrë ndaj Jurgen Kurtit për vrasjen e të atit ndodhur në vitin 2017, nëna e 33-vjeçarit, Vjollca Arapi ka mohuar çdo përfshirje të djalit apo familjarëve të saj në vrasjen e të riut.
E shqetësuar nga zhvillimet e fundit në lidhje me vrasjen e 26-vjeçarit, Vjollca Arapi i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të zbardhin ngjarjen pasi djali i saj nuk ka asnjë lidhje dhe nuk ndodhet në Shqipëri.
"I dha fjalën babait të vetë që nuk do të bëjë gjë. Edhe nuk e bëjmë dot se nuk ja dalim dot me milionat që kanë ato. Kush ja del atyre. Kjo duhet të jetë vrasje mafioze shtetërore, vrasje për probleme droge, nuk e di çfarë mund të ketë se nuk e di me çfarë merren ato edhe nuk më intereson", u shpreh para gazetarëve zonja Arapaj.
Gjatë prononcimit, ajo bëri edhe një thirrje për të ëmën e viktimës Jurgen Kurti.
"I bëj thirrje nënës së Jurgen Kurtit, i them: Kërko vdekjen e djalit tënd. Se nuk jemi ne që ta kemi vrarë. Më dhimbset kur dëgjova nënën e vet që ulërinte aty. Edhe unë jam nënë".





