Ministri fton studentët të orientohen për punësim sezonal në Portin e Durrësit, të aplikojnë në Policinë e Shtetit, dhe për praktika profesionale në institucionet e varësisë.
Ministri Lleshaj ka bashkëbiseduar me një grup të madh studentësh të universitetit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, ku bëri apel përsëri që studentët e disa specialiteteve si Ekonomi, Informatikë etj., të konsiderojnë si mundësi punësimin në radhët e Policisë së Shtetit.
Ai nënvizoi gjithashtu që Porti i Durrësit është një mundësi konkrete për studentët që të sigurojnë punësim sezional. Nga ana tjetër ai vuri në dukje se hapësira ujore ekskluzive e Shqipërisë është një pasuri e paçmuar e vendit por ende e pashfrytëzuar siç duhet.
"Ju inkurajoj shumë si studentë dhe Universitet që të shikoni mundësinë e njohjes me portin e Durrësit. Diskutuam me gjithë autoritetet që veprojnë në port dhe ka mundësi të mëdha për tu afruar studentë dhe për të kryer praktika profesionale, për të krijuar mundësi për punësime sezonale.
Kam një respekt të veçantë për njerëzit e sidomos për studentët që punojnë. Dhe kolegët tuaj nëpër botë, të jeni të sigurt, pavarësisht sa të pasur janë, punojnë të gjithë si rregull. Njoh njerëz shumë të pasur, jashtë vendit, të cilët nuk ua financojnë fëmijëve të tyre 100% studimet. Një mik i imi, i huaj, i pasur, i financonte studimet 60% djalit dhe vajzës. 40% duhet ta fitonin vetë dhe 40% janë vërtet një shumë e madhe (jashtë vendit). Di që i biri, që ishte student mjekësie, punonte si kujdestar për të moshuarit. Dhe djali i atij milionerit i bënte të gjitha këto punë dhe i tregonte pa i ardhur “turp”. Dua të them që është e rëndësishme që ju të punoni, se pa kuptuar punët e thjeshta, s’do të mund të bëni kurrë punë të ndërlikuara", theksoi ai.





