Protesta e radhës e organizuar sot nga opozita e bashkuar në Tiranë, ka marrë sërish vëmendjen e medieve prestigjioze ndërkombëtare.
“Washington Post” ka përcjellë lajmin duke theksuar se tubimi zhvillohet kundër qeverisë së akuzuar nga pjesëmarrësit si të korruptuar e të lidhur me krimin e organizuar.
“Mijëra mbështetës të opozitës së qendrës së djathtë, të udhëhequr nga Partia Demokratike, u mblodhën të shtunën para zyrës së kryeministrit socialist Edi Rama për të kërkuar dorëheqjen e tij”, thuhet në shkrim.
Gazeta prestigjoze e ve theksin gjithashtu te paralajmërimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian opozitës kundër përdorimit apo nxitjes së dhunës dhe apelet për t’u ulur në tryezën e bisedimeve.
Theksin te thirrjet e ndërkombëtarëve për një tubim paqësor e përcjell dhe “Miami Herald”; Shtetet e Bashkuara, shkruan e përditshmja amerikane,e paralajmëruan serish opozitën shqiptare kundër përdorimit të dhunës këtë fundjavë.
Ndërsa “Deutsche Welle”, në shkrimin e saj të përditësuar flet per tensionet përpara ndërtesës së Parlamentit, kur protestuesit janë përpjekur të thyejnë kordonin policor. “Policia përdori gazin lotsjellës, ndërsa protestuesit kanë lëshuar sende të forta drejt efektiveve”, shkruan ajo.
“Shqipëria është destabilizuar nga krimi, ne do t’i japim fund këtij destabilizimi, Edi Rama duhet të largohet një orë e më parë”, citon “DW” fjalët e Bashës. Më tej përmendet dhe reagimi i Presidentit Ilir Meta që ndërpreu vizitën dhe ka bërë thirrje të shmangen konfrontimet.





