Një qëndistare nga Durrësi, e cila jeton prej kohësh në Rovigo (Itali), ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane.

Gazeta “Il Resto del Carlino” e titullon “Qëndistarja e ardhur nga Shqipëria” shkrimin që ka publikuar për Fatmira Bardhetin; kushtuar jo vetëm profesionit të veçantë, por edhe kurajos e guximit si grua e biznesit. Së bashku me të botohet edhe një foto e specialistes në butikun e saj, mes dantellave dhe rrokelave me fije shumëngjyrëshe.

“Ndoshta ajo vetë e para nuk do ta kishte besuar se duke lënë Shqipërinë do të bëhej pronare e njërit prej butikëve më të hershëm të qytetit, në sheshin “Annonnaria” – nis artikulli për zonjën që ka ardhur 26 vjet më parë nga Durrësi. Në qytetin e lindjes ajo ka përfunduar degën e pikturës në shkollën e mesme artistike “Mujo Ulqinaku”.

Historia fillon kur Mira nisi punën si qëndistare në një dyqan mode për “shoqërinë e lartë”. Atje nisi të dizenjonte e të qepte edhe fustanet e para.

Nga vendi i punës ajo shkonte në sheshin “Annonnaria” për të marrë materiale, dhe kur e shikonin se me sa pasion e dashuri e bënte punën e saj i propozuan ta blente dyqanin.

9 vjet më pare, Mira nga Durrësi vendosi për të ardhmen e saj dhe të fëmijëve. “Një nga fëmijët e mij ka lindur këtu, Xhoi, ndërsa Henri që ka hapur një dyqan veshjesh në Este ka lindur në Durrës”, tregon Mira, siç e thërrasin edhe në Rovigo.

“Më pëlqen ky qytet –dëshmon ajo-, këtu mund të bëhet shumë më tepër. Në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit ne tregtuesit po përpiqemi që ta rivitalizojmë sheshin. Ky vend është një xhevahir” thotë Mira për gazetën “Il Resto del Carlino”.