Pas braktisjes që i bëri parlamentit opozita braktis edhe përfaqësimin në pushtetin lokal. Pavarësisht zërave kundër në PD-në lokale një urdhër nga kryedemokrati Lulzim Basha ka bërë që të mblidhet kryesia e Durrësit.

Në mbledhjen e kryesisë urdhri nga lart ka qenë i qartë, që asnjë këshilltar i djathtë të mos marrë pjesë në Këshillin Bashkiak dhe në asnjë tryezë për qeverisjen lokale si dhe të bëhen përgatitjet për protestën e 16 marsit.

Vendimi ka ardhur para mbledhjes së Këshillit Bashkiak që është planifikuar të hënën në orën 18:00, ndërsa jo të gjithë anëtarët e djathtë të opozitës kanë qënë dakord me këtë vendim.

Kjo sepse qeverisja në nivel lokal është e prekshme për të gjithë qytetarët durrsak dhe prek të gjithë shtresat ndryshe nga sa vepron politika e madhe në qëndër.

Nga anëtarë të kryesisë është mësuar se Basha ju ka thënë demokratëve se nuk do të hyjnë në fushatën zgjedhore dhe as në zgjedhjet lokale, me kryeministrin Rama në detyrë. Nuk mund të thuash nëse Basha po luan bllofin duke nxjerrë forcën më të madhe opozitare nga sistemi. Kjo sepse Durrësi ka veçanti specifike.

Lefter Koka kreu i LSI në Durrës i ka udhëzuar të këshilltarët e kësaj force partiake të jenë në Këshillin Bashkiak e ashtu sikundër ai nuk e braktisi mandatin. Grupi i LSI-së duket se do të marrë pjesë në mbledhjen e paralajmëruar.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak priten të merren vendime në interes publik kryesisht me karakter social me ndikim të drejtpërsëdrejtë në jetën e qytetarëve.

K.H.