Pavarësisht shtyrjes së kampionatit, Teuta ka vazhduar pa asnjë ndryshim programin javor. Skuadra durrsake ka vijuar normalisht stërvitjen, ku trajneri Shkëmbi ka vendosur që të mos tolerojë ekipin tij, pavarësisht lajmeve që vinin nga FSHF-ja.
Në këto kushte, “djemtë e detit” kanë punuar në një seancë të plotë stërvitore, ku fillimisht kanë zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësit atletikë dhe më pas gjithçka është zhvendosur në punën me top.
Aspekti tekniko-taktik dhe mbi të gjitha ushtrime të ndryshme në veprime ofensive dhe difensive kanë qenë në fokusin e trajnerit të Teutës.
KUPA
Pas dy rezultatesh jo të mira radhazi në kampionat, Teuta kërkon të rikthehet te fitorja në takimin me Kukësin, e vlefshme për turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Takimi i parë do të zhvillohet në stadiumin “Niko Dovana” dhe ky fakt është një plus për të besuarit e trajnerit Shkëmbi, që synojnë ta sigurojnë kualifikimin në fushën e tyre.
Te Teuta e dinë rëndësinë e kësaj ndeshjeje, pasi Kukësi është një kundërshtar i vështirë. Sigurisht, “djemtë e detit” kërkojnë vetëm fitoren nga kjo përballje, madje pa pësuar gol, për të vijuar drejt objektivit edhe në Kupë. Teuta vijon përgatitjet e duhura për të marrë rezultatin e kërkuar. Të gjithë janë gati të përballen me Kukësin dhe besojnë se do t’ia dalin me sukses.
GASHI
Mesfushori Roni Gashi është grumbulluar nga trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, për dy ndeshjet miqësore që kanë planifikuar për këtë muaj. Aktivizimi me Teutën, këtë sezon, ka bërë që mesfushori të jetë në vëzhgimin e Kombëtares së Kosovës.
Gashi nuk ka qenë një titullar fiks, por, gjithsesi e ka justifikuar gjithnjë veten sa herë që ka luajtur. Madje, Gashi ka arritur të shënojë edhe një gol ndaj Partizanit në ndeshjen e fazës së dytë, që përfundoi në barazim 1-1.





