Futbollisti i Amedsporit, Mansur Çalar, në kategorinë e tretë, akuzohej se ishte futur në fushë me një brisk apo thikë të vogël, duke goditur kundërshtarët ku të mundte, në një ndeshje derbi kundër Sakaryaspor.
Plagët e futbollistëve kundërshtarë flisnin vetë dhe Sakaryaspor denoncoi futbollistin kriminel në polici, por për fat ekzistonin edhe pamjet filmike, që gozhdonin kasapin turk.
Pas hetimit urgjent, 33-vjeçari Çalar është urdhëruar të mos largohet nga Turqia dhe duhet të paraqitet dy herë në javë në polici. Ndërkaq, Federata Turke e Futbollit e ka përjashtuar përjetë mesfushorin, përveçse e ka dënuar me 25,000 lira turke (4000 euro) gjobë.
Trajneri i Sakaryaspor, Ismail Ertekin, e quajti të drejtë vendimin: "Ai kishte dalë në fushë për të dëmtuar lojtarët tanë, ai që bën gjëra të tilla nuk është njerëzor. Nëse Federata nuk e përjashtonte përjetë, do të shkonim në UEFA".





