Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që pritet të zhvillohet pasditen e së hënës së ardhshme (më 11 mars, në orën 18:00), do të zyrtarizohet drejtori i ri i pallatit të kulturës në Durrës.

Postin e drejtorit historik, Bashkim Hoxha, i cili del në pension, do ta marrë nëndrejtori i këtij institucioni, Elio Bajramaj.

Shkrimtari dhe dramaturgu Bashkim Hoxha e mban këtë post prej shumë vitesh duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e jetës kulturore në qytetin bregdetar.

Rreth dy javë më parë, gazetari i mirënjohur i qytetit të Durrësit festoi 65-vjetorin e lindjes me disa nga personalitetet më të rëndësishëm të jetës politike dhe kulturore.