Më datë 11 mars Bashkia e Durrësit ka paralajmëruar mbledhjen e Këshillit Bashkiak të radhës, mbledhje e cila pritet me shumë interes nga qytetarët e Durrësit dhe grupet e interesit.
Kjo mbledhje pritet të jetë edhe “prova e zjarrit” për kreun e bashkisë, Vangjush Dako i vënë nën akuzë për blerje votash nga opozita, çështje të cilën e ktheu në kauzë për të dorëzuar mandatet e deputetëve dhe për të nisur protestat para institucioneve.
“DurrësLajm” komunikoi me anëtarë të Këshillit Bashkiak nga forca të ndryshme politike.
Armand Traga nga LSI, i cili mban edhe postin e sekretarit të Këshillit Bashkiak tha se grupi i LSI-së ka një qëndrim të unifikuar përsa i përket pjesëmarrjes në Këshillin Bashkiak.
"Ne edhe më herët kemi treguar si grup i këshilltarëve të LSI se jemi të unifikuar në qëndrimet tona dhe pak varemi prej politikës në qëndër kur bëhet fjalë për politikat lokale. Do të jemi prezent në mbledhje, do të bëjmë oponencën tonë ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, do të debatojmë për projekt-vendimet , por nuk e kalojmë aspak në mend se do të braktisim mbledhjet dhe vendimmarrjen për qytetarët pasi çdo qytetar pret shumë nga ne."
Edhe grupi i PD-së nuk ka marrë asnjë vendim për braktisje të mbledhjes së parlamentit të qytetit të Durrësit.
Këshilltari demokrat, Ardian Muka tha në një prononcim për “DurrësLajm” se do të marrin pjesë në mbledhje për aq kohë sa nuk është marrë një vendim për braktisjen e këshillit bashkiak.
"Do të mblidhemi me anëtarët e koalicionit dhe do të vendosim, por nuk ka një qëndrim për të mos marrë pjesë në mbledhje", tha Muka.
Qëndrimi i këshilltarëve të LSI çon ujë në mullirin e bashkisë së Durrësit e cila ka siguruar numrat e nevojshëm për mirë funksionimin e Këshillit Bashkiak.
Kryetari Vangjush Dako në këtë mënyrë ka siguruar aktivitetin normal të punës së bashkisë deri në muajin qershor kur priten zgjedhjet lokale.
Por PD edhe në mbledhjen e shkuar u pajtua me të gjitha projektvendimet e bashkisë duke bërë që zëri opozitar të varej vetëm nga këshilltarja e LSi Edlira Hyseni. Hyseni mbajti gjallë opozitën, por ndryshe nga mbledhja e shkuar këtë radhë i pari projektvendim i paraqitur është dorëheqja e saj dhe zëvendësimi me një tjetër këshillatare pasi ekonomistja e LSI-së do të shkojë në parlament për të zëvendësuar mandatin e Nora Malajt.
Këshilli nis mbledhjen me këtë projektvendim ndërsa në nivel lokal për kryebashkiakun Dako gjërat duket se janë shumë më të thjeshta për t’u menaxhuar.
Projektvendimet e paraqitura në këshill nga PD, janë miratuar e kjo ka bërë që kjo forcë politike të marrë çfarë do nga bashkia.
Në mbledhje janë një sërë projektvendismesh shumë të rëndësishme që kanë impakt drejtpërsëdrejti në jetën e qytetarëve durrsakë duke nisur nga programet sociale të strehimit, miratimin e buxhetit shtesë të vitit 2019 të bashkisë, miratimin e fondit të bursave, etj.
K.H.





