Tvklan.al shkruan se njëri prej vëllezërve Gorezi që ju sekuestrua pasuri me vlerë 2.2 milionë euro, ka qenë i arrestuar më parë pasi dyshohej si i përfshirë në një vrasje në Itali.
Konkretisht, Armando Gorezi nga Berati u ekstradua drejt Italisë më 29 Korrik 2015. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 9 Shkurt 2015 dhe ishte dënuar në mungesë me 12 vite burgim. Më 6 Maj 2014, Gjykata e Torinos në Itali kishte lëshuar urdhër arresti ndaj Gorezit për veprën penale të vrasjes.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 6 gusht 2011 në Torino, kur u vra Indrit Kuçi. Armando Gorezi ishte i dyshuar si autor i vrasjes, sepse disa ditë para krimit, viktima kishte rrahur Armando Gorezin, sipas raportimeve të shtypit italian në atë kohë.
Por në Janar të vitit 2017, edhe pse ishte dënuar në mungesë me 12 vite burgim për vrasjen e shqiptarit Kuçi, një gjykatë e apelit në Itali e shpalli të pafajshëm Armando Gorezin dhe e liroi nga të gjitha akuzat pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për ta shpallur fajtor.
Prokuroria e Tiranës vendosi sot sekuestro preventive ndaj pasurisë së vëllezërve Armando dhe Alket Gorezi. Sipas policisë dhe prokurorisë shqiptare, dyshohet se pasuria prej 2.2 milionë Euro e vëllezërve Gorezi është përfituar nga paratë e pista. Aktualisht dy vëllezërit Gorezi, të cilët jetojnë prej vitesh në Tiranë, po hetohen në gjendje të lirë.





