Qazim Rasha, babai i 25-vjeçarit, Klodian Rasha i vrarë më 8 dhjetor të vitit të kaluar shumë pak metra larg shtëpisë nga një efektiv i forcave Shqipinja, ka komentuar tepër i indinjuar vendimin e Gjykatës së Tiranës e cila dënoi sot me 15 vite burg Nevaldo Hajdarajn. Ky i fundit do të vuajë 10 vite, për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Rasha tha se kjo njollë e zezë nuk do i hiqet shtetit dhe i bëri thirrje qytetarëve dhe gazetarëve të ruajnë fëmijët.

“Ju kisha thënë që do vijë momenti që do t’i themi a gjëra. Sot është momenti. Dua t’ju falënderoj ju nga zemra për punën fisnike që keni kryer që nga dita e parë deri tek dita e sotme. Falë jush shumë gjëra morën rrugë, pavarësisht inskenimeve që u munduan me të gjitha format. Falënderoj çdo person që ka trokitur në derën time nga dita e parë deri sot në ditën e 216-të, falënderoj çdo qytetar që mbushën sheshet duke thirrur ‘”në jam Klodiani”. Ardhja ime që nga dita e parë ka qenë jo krejt pa domethënie. Ishte një makabritet që e kreu një sekt që çdo lloj epiteti mund të vendosësh vetëm epitetin njeri jo. Ai për të cilin paguan taksa, një lloj huligani, padrejtësisht vret një djalë të ri në rrugicën e shtëpisë së vetë. Pavarësisht alibisë, ngjarjes, tragjedisë, arriti deri aty sa viktima të marrë pozicionin e kriminelit dhe krimineli është veshur me petkun e viktimës. Është një ngjarje që ka tronditur jo vetëm themelet e familjes sime, por të mbarë shoqërisë, por edhe shtetit. Kjo njollë e zezë nuk do i hiqet. Mesazhi im është një, fëmija im iku, u varros, por fëmija juaj, gjaku është njëlloj si i të gjithëve. Mendoja që me këtë rast të shërbejë një shembull për këta që janë gjallë, të shërbejë si simbolikë që edhe ju kini kujdes ruajini fëmijët tuaj. Si mund ta quash drejtësi, kur çdo gjë është e qartë dhe me një të rënë të lapsit i jep gjykimin e shkurtuar?! Mendoj dhe besoj tek drejtësia e re që po ngrihet”, deklaroi babai i Klodian Rashës.

I pyetur nëse do ta apelojë vendimin e Shkallës së Parë, ai tha se nuk ka besim.

“Unë e kam kërkuar drejtësinë që ditën e parë, por me këtë lloj drejtësie nuk besoj se mund ta gjej as unë, askush”, deklaroi Rasha.