Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ndonëse ka firmosur dorëheqjen nga mandati, mbetet sërish deputet. Tavo ka ngatërruar emrin e babait, ndërsa akuzon Kuvendin për papërgjegjshmëri. Ai shprehet se është një lapsus pasi i ati emrin e ka Harallamb, por në pasaportë e ka të shkruar Llambi. Në shpejtësi e sipër, Tavo thotë se e ka shkruar emrin e të atit, siç ata e thërrasin.

Ai ka akuzuar Komisionin e mandateve për mungesë serioziteti, pasi sipas tij, mosthirrja e të gjithë personave të nënshkruar për të deklaruar personalisht, është shkelje. Tavo thotë se mundet që dikush edhe të kishte firmosur në emër të tjetër kujt.

“Gabimi im, babai im e ka emrin Harallamb, po në pasaportë e ka të shkruar Llambi. Gabim shpejtësie nga unë, por edhe papërgjegjshmëri nga Kuvendi. Kam qenë anëtar i komisionit të mandateve dhe i shqyrtonim emrat dhe të dhënat personale deri në detaje përpara se të konfirmonim mandatin, ose lënien e mandatit. Komisioni i mandateve duhet të kishte thirrur të gjithë deputetët. Po sikur unë të mos e kisha firmosur vetë? I mbetem vendimit të opozitës 100 për qind. Sapo të kthehem do të dorëzoj mandatin. Në fillim të javës tjetër jam në Tiranë”, tha ai.