Humbja në Gjirokastër është "arkivuar" dhe tashmë në Durrës kërkojnë kthesën. Përballë do të kenë Skënderbeun që vjen pas një ecurie zhgënjyese në 9 javët e fundit, ndaj shanset për të tentuar fitoren janë realisht të mëdha. Skuadra po punon prej ditësh e përkushtuar në “Olympic Park” dhe duket se kanë gjithçka gati për këtë duel.

Ekipi zbriti paradite në fushë dhe është punuar më së shumti në planin tekniko-taktik. Trajneri u shfaq si gjithnjë tejet kërkues, ndërsa po mundohet që të sjellë perfeksionin në lojën e durrsakëve. Grupi as këtë javë nuk do të jetë i plotë. Armando Vajushi vazhdon të stërvitet i diferencuar dhe gjasat janë që edhe këtë javë të mos debutojë.

Lojtari i ardhur me aq bujë në janar po pritet me ankth nga tifozëria që të zbresë në fushë, por dëmtimi në gju po e pengon. Sakaq, e konfirmuar është edhe mungesë e Lancient Sidibe. E megjithatë, ka edhe lajme të mira në kampin durrsak. Pas pezullimit rikthehet kapiteni Tefik Osmani, i cili kundërshtarin e njeh realisht mirë, ndaj kjo do të jetë një "armë" më shumë për formacionin e Teutës.

Bledi Shkëmbi po punon edhe me 11-shen dhe duket se pas humbjes së fundit ka vendosur që të bëjë disa ndryshime. Për herë të parë mund të hedhë në fushë "artilerinë" e rëndë në sulm dhe që nga minuta e parë. Amadu Latif duket se ka rimarrë veten dhe forma e tij e mirë ka bindur stafin teknik që t’i japë një fanellë titullari.

Dhe nëse sulmuesi luan, atëherë afrikanin tjetër Sekou Kamara e pret stoli.Ganezi do të jetë nga e djathta e sulmit, ndërsa majtas do të vendoset Progni. Në majë është provuar Tomislav Bushiç. Shpresat janë të mëdha që kjo treshe të japë rezultat. Nëse Progni dhe Bushiç kanë luajtur me njëritjetrin deri tani, risi do të jetë bashkëpunimi i kroatit me Latif, që vazhdon të mbajë statusin e "bomberit" të Kategorisë Superiore, me 9 gola.