Edmond Hasanbelliu, edhe pse është “pro” rikthimit të uniformave blu, nuk ka shpresa që të ndryshohet ligji për policinë në stadiume.
“Policia është e pranishme gjithmonë, por problemi është se duhet të jenë më të zotët forcat e sigurisë private, të cilët qëndrojnë brenda impiantit. Forcat e rendit, që pas ndryshimit të ligjit, qëndrojnë në gatishmëri jashtë stadiumit. Për mua si president i Teutës, nëse kthehet policia më mirë është, por nuk ma do mendja, pasi është me ligj.
Vërtet ndodhi në mes të Tiranës, por policët privatë duhet të jenë më të aftë dhe t’i ndalojnë ata karagjozë që futen në fushë. Që Policia e Shtetit të futet në stadium, normalisht do parà më shumë. Për ne si klube, aq më mirë të ketë polici, por nuk besoj se do të ndërrohet ligji në këtë moment. Personalisht kam shkuar në shumë stadiume në botë, por polici rendi brenda stadiumit nuk kam parë, sepse kanë qenë vetën stjuartë.
Ky është vetëm fillimi në Shqipëri dhe normalisht klubet do të kenë sikletet e tyre. Jemi në një situatë ku njerëzit që vijnë në stadium, Policia e Shtetit dhe ajo private, duhet të ndërgjegjësohen më tepër. Edhe stjuartët si policë janë, e kanë kompetencën për të nxjerrë jashtë tifozët.
Në stadiume ka edhe kamera sigurie dhe në momentin që një tifoz është problematik, të ndalohet dhe të përjashtohet, pse jo, edhe përjetë për të mos shkelur në stadium. Këto janë dënime që duhen vendosur, pasi kështu mund të rregullohet edhe situata në stadiume”, u shpreh kreu i klubit të Teutës.





