Të shkosh në Europa League kur edicionin parardhës ke garuar deri në metrat e fundit për të qëndruar në Kategorinë Superiore është një arritje që meriton medalje, megjithatë një grimcë zhgënjimi duhet të ketë tek Teuta nëse kjo skuadër nuk e mbyll në shkallën më të lartë të podiumit.
“Një skuadër që kërkon titullin, nuk mund të gaboj kaq shumë” -fjalë kuptimplota dhe askush nuk mund t’i kundërshtojë, të artikuluara nga vetë trajneri Bledi Shkëmbi i cili diçka di në lidhje me trofeun e kampionit.
Një pjesë e futbollistëve kanë shumë pak përvojë dhe në çastin kur skuadra është në rrjedhë pozitive përfshihen nga euforia, lojtarët me eksperiencë gjithnjë kanë kërkuar të qëndrojnë me këmbë në tokë, por ndonjëherë fjalët nuk mjaftojnë. Nuk është absolutisht dramë humbja e parë pas 15 ndeshjesh në kampionat, por shanset ishin aty, në fakt janë ende, për të provuar diçka më shumë se sa Europa.
Viti 2019 duket se në një farë mënyrë e bëri të stonojë këngën “go west” tek Teuta. 3 barazime, madje një kundër Kamzës së pozicionit të fundit, fitorja me përmbysje ndaj Kukësit që ndezi entuziazmin e më pas disfata në Gjirokastër.
Afrimet e janarit ende nuk janë përshtatur, 2 penallti të shpërdoruara, në një kohë që për fat të ke që dëmtimet kanë frenuar Vajushin e Vecajn. Urimi për një vit të mbarë që pa diskutim i është dërguar shumë prej protagonistëve të Teutës më datë 31 dhjetor, për momentin ka mbetur thjesht një urim.





