Monika Kryemadhi paralajmëroi sot gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues Kombëtar se nga dita e nesërme të gjithë kryetarët e LSI në çdo bashki do të jenë të organizuar bashkë me kryetarët e PD-së dhe partive të tjera të frontit opozitar, pasi do të ngrihen shtabet e përbashkëta për të vazhduar protestën lineare në çdo qytet.
Por nëse Kryemadhi ka një zgjidhje për ngërçin e krijuar në LSI-në e Durrësit, këtë vështirë ta thuash. Dega e Durrësit drejtohet që nga ditët e para të themelimit të saj nga Lefter Koka, tashmë në mandatin e tij të tretë si deputet. Koka ishte i vetmi nga deputetët e partisë së kryesuar nga Kryemadhi që nuk iu bind vendimit të grupit parlamentar dhe deklaroi publikisht se nuk do ta digjte mandatin e tij.
Në ndryshim nga PD, e cila në mbledhjen e sotme të Kryesisë përjashtoi deputetin lushnjar Myslym Murrizi, për shkeljen e vendimit të grupit parlamentar, LSI ende nuk ka ndërmarrë një hap zyrtar për përjashtimin ose jo të Lefter Kokës, madje nuk është shprehur nëse ai do të vazhdojë të mbetet kryetar i degës apo do të zëvendësohet nga një njeri i Kryemadhit.
Mosdorëzimi i mandatit të Kokës mbart edhe rrezikun për bjerrjen e numrit të anëtarësisë së LSI-së në Durrës, nëse kreu i saj përjashtohet apo zgjedh t’i bashkohet PS-së. Para se të bëhej për herë të parë deputet i LSI-së në legjislaturën 2009-2013, Koka ka qenë kryebashkiak i Durrësit në vitet 2004-2007, i zgjedhur me votat e anëtarësisë socialiste, ku dhe aderonte në atë kohë. Pas shkëputjes së Ilir Metës nga PS, Koka iu bashkangjit LSI-së, ku konsiderohet njeriu kryesor i degës së Durrësit.
E pyetur nëse Koka do të kandidohet më me siglën e LSI-së, Kryemadhi deklaroi sot se “LSI do të ketë një strategji të re, tani do të veprohet sipas strukturave në të gjithë Shqipërinë. Mendoj që është shumë shpejt për të folur për këtë. LSI dhe opozita është e përgatitur në çdo moment për çdo lloj skenari”.Një përgjigje shumë evazive kjo e Kryemadhit, që nuk hedh aspak dritë për të ardhmen e deputetit dhe kreut të degës së LSI Durrës.
Në një kohë, kur opozita PD+LSI deklaruan sot për hartimin e një kalendari protestash në të gjithë vendin deri në largimin e Edi Ramës, enigma që rrethon degën e Durrësit ende ka shumë të panjohura.
Për herë të parë, në 2017, LSI nxorri 2 deputetë nga qarku i Durrësit. Përveç Kokës, në Kuvend shkoi edhe Nora Malaj, ndërkohë që pretendimet ishin që të nxirrej deputet edhe kandidati i tretë në listë, Flamur Gjuzi. Por duket se humbja në bastionet e mëparshme të LSI brenda qytetit të Durrësit nuk bënë të mundur mbledhjen e numrit të nevojshëm të votave për fitimin edhe të mandatit të tretë. Vlen të kujtohet këtu, se në të gjitha qendrat e votimit në qytetin e Durrësit, PS mori numrin më të madh të votave, duke lënë pas PD dhe LSI.
Tashmë kur Basha dhe Kryemadhi kanë përveshur mëngët për të karikuar popullin opozitar dhe jo vetëm në betejën në shesh kundër Edi Ramës, fati i LSI Durrës është ende i pavendosur. Megjithëse, votimi i fundit në Këshillin Bashkiak për buxhetin e vitt 2019, ku këshilltarë të LSI-së bashkuan votat me të majtën, mund të hedhë dritë se nga do anojë elektorati i kësaj dege.
Gjithsesi, në politikë, surprizat nuk mungojnë asnjëherë.
M.B.