Është rritur gjatë natës bilanci i aksidentit tragjik në Maqedoni, duke shkuar në 14 të vdekur. Po ashtu edhe numri i të plagosurve është konfirmuar në 32 nga 29 që flitej në orët e mbrëmjes. Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e së mërkurës në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë. Autobusi me udhëtarë u përmbys pas disa rrokullisjeve në rrugë, ku për të nxjerrë njerëzit u desh ndërhyrja e ekipeve të emergjencës për shkak se kishin mbetur të bllokuar brenda autobusit.
Ndërkohë në një mbledhje të jashtëzakonshme një orë pas mesnate, qeveria mori vendim për të shpallur dy ditë zie, 14 dhe 15 shkurtin. Shoferi i autobusit mbeti i plagosur dhe prokurori publik tha se do të kryhen analizat e gjakut dhe të urinës ndaj tij.
Gjatë mbrëmjes edhe Kryeministri i vendit, Zoran Zaev shprehu ngushëllimet për familjarët e viktimave të aksidentit tragjik, duke thënë se dhimbja dhe pikëllimi nuk mund të maten dhe se nuk ka fjalë që mund të ngushëllojë aksidentin e rëndë që ishte fatal.
Ndërsa ngushëllimet nuk munguan as nga autoritetet shqiptare. Një ditë pas aksidentit tragjik që ndodhi të mërkurën në Maqedoninë e Veriut, mësohet se në mesin e viktimave ka qenë edhe djali i një deputeti në rradhët e partisë opozitare mëqedonase LSDM, Jovica Tërpevski, raportojnë mediat vendase.