Gjatë pasdites së të premtes kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook, me zë dhe me figurë një video të realizuar gjatë vizitës së ministres Elisa Spiropali në familjen e vajzës së dhunuar seksualisht në Kavajë.
Teksa media nuk kishte zbuluar më parë familjarët e viktimës, ishte vetë kryeministri i cili në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e viktimave të abuzimit seksual, zbuloi të afërmit e minorenes, duke bërë që edhe vajza të identifikohet me lehtësi.
"balkanWeb" shkruan se "News24" iu drejtua kreut të Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi për një qendrim lidhur me këtë rast, i cilit bën me dije se është njohur me ngjarjen nëpërmjet medias.
Zyra e Komisionerit, ashtu si edhe për të gjitha rastet e tjera, do të bëjë vlerësimin e duhur të çështjes, në raport me parimet dhe dispozitat e ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.
DEKLARATA E PLOTË
Zyra e Komisionerit është njohur me ngjarjen të cilës ju i referoheni, nëpërmjet medias.
Zyra e Komisionerit, ashtu si edhe për të gjitha rastet e tjera, do të bëjë vlerësimin e duhur të çështjes, në raport me parimet dhe dispozitat e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar.
Në rast se do të konstatohen elementë të shkeljes së tij, do të ndiqen procedurat ligjore të hetimit administrativ, në përfundim të të cilave do të dilet me aktin përkatës.
Zyra e Komisionerit e konsideron shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me organet e medias, në funksion të respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, ku bën pjesë edhe mbrojtja e të dhënave personale, e sanksionuar në nenin 35 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.





