Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka përurar këndin gjithëpërfshirës të lojërave për fëmijët me aftësi të kufizuara që është ndërtuar në hyrje të Durrësit.

Ky kënd lojërash është ndërtuar nga Bashkia e Durrësit në partneritet me Fondacionin  Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Shqipëri.

Në këtë përurim merrnin pjesë edhe Petra Schmidt atashe e sektorit ekonomik të ambasadës gjermane në Shqipëri, drejtoresha e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara(FSHDPAK) Blerta Çani Drenofci, përfaqësues të institucioneve të pushtetit  vendor e qëndror, përfaqësues të organizatave që punojnë për çështjet e fëmijëve dhe çështjet e aftësisë së kufizuar dhe qytetarë të Durrësit.

Në fjalën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi se Bashkia e Durrësit e ka prioritet kryesor kujdesin ndaj të gjithë personave me aftësi të kufizuar. Ndërsa drejtuesja e FSHDPAK deklaroi se ky kënd lojërash është një kënd gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe për fëmijët pa aftësi të kufizuar. 

Ky kënd u realizua në përmbushje të garantimit të të drejtave për Shërbime Rekreative, Sportive të Aksesueshme e që të mund të përdoren nga gjithë  fëmijët me dhe pa aftësi të kufizuara, me qëllim garantimin e të drejtës për të luajtur e për të pushuar, përmes krijimit të një hapësire dhe lodrave të përshtatura dhe të aksesueshme për të gjithë.