Protesta masive që u mbajt në Prishtinë në mbrojtje të të drejtave të femrave pas përdhunimin të 16-vjeçares nga profesori dhe polici, ka bërë që gazetarja Rudina Xhunga, ta krahasojë me reagimet në Shqipëri ndaj 13-vjeçares në Kavajë që u përdhunua nga 7 minorenë.
Gazetarja Xhunga shkruan në rrjetet sociale se në Kosovë u ngritën të gjithë dhe e morën në mbrojtje viktimën e abuzimit seksual, ndërsa në Shqipëri gratë e Kavajës u çuan të përzenin minorenen që u përdhunua.
"Ne jemi frikshmërisht larg Evropës që kërkuam. E meqë s’po dimë të afrohemi, le të themi: E duam Shqipërinë si Kosova!", shkruan ndër të tjera në postimin e saj gazetarja e njohur.
POSTIMI I PLOTË
"Shikoni si reagon Prishtina. Të gjithë me parulla në duar, kanë dalë në rrugë për t’i thënë jo përdhunimit, pasi një e mitur u abuzua nga profesori i saj dhe polici ku shkoi ta denoncojë. Prishtina e mori në mbrojtje vajzën, as e gjykoi, as donte ta përzinte nga vendi, siç donin gratë e Kavajës, të përzënë vajzën e vogël që e përdhunuan ca përbindësha, të mitur edhe ata. Në Kosovë, nuk plasi debati Thaci- Haradinaj, kush e fshehu ngjarjen, as iu sul kush medias, pse merreni me dramën e vajzës. Ne jemi frikshmërisht larg Evropës që kërkuam. E meqë s’po dimë të afrohemi, le të themi: E duam Shqipërinë si Kosova!"





