Nuk ishe vetëm. Aty në kuzhinën e vogël, ku mami gatuante me mendjen diku në Itali, ndërsa tymi përhapej nëpër shtëpi dhe aroma e këndshme e gatimit mundohej të të vriste brengën, mund të ishe afruar, ta përqafoje, të mbështesje kokën në përparësen e tymosur dhe të qaje.

Që ditën e parë. Mund t’i thoje që nuk kishe plan. Nuk ishte padurimi i adoleshentes për të mësuar sekretet e të rriturve, nuk e kishe planifikuar të rriteshe pa u rritur.

Mund t’i thoje që ishte një rastësi e tmerrshme, një rrugë e shtruar bukur për të hyrë në ferr. I besove atij, se të thoshte më shumë se pasqyra në mëngjes, të dhuroi një gënjeshtër për të të vrarë gjithë dyshimet që kishe për veten dhe që do të të mundonin deri në kalimin e moshës së brishtë, pastaj të kërcënoi me të vërtetën për të të vrarë ëndrrat që do të shëronin plagët e atij realiteti të zymtë, që ka pushtuar qytetin tënd dhe gjithë vendin, falë ndyrësisë që përhapet si armë e shkatërrimit në masë.

Nuk është gabim të besosh, nuk është faj të tradhëtohesh, nuk është krim të lëndohesh. Mamaja do ta kuptonte këtë. Mund të të shante, të të godiste, të të denonconte tek babai që nga larg thurte plane për ty, por në fund do qanit bashkë ditë dhe natë, do të dorëzoheshit bashkë për ditë të tëra, derisa zëri i dashurisë për njëra –tjetrën dhe për jetën, t’ju thërriste për të rimarrë veten.

Ti nuk do ishe më viktimë, mbi varrin e ëndrrave do të mbinin të tjera, më të forta dhe më të sigurta dhe përpara pasqyrës do të shihje veten, pa dyshime për të keqen që të rrethon, pa iluzione për njerëzit e degraduar nga helmi që u japim ne cdo ditë.

Nuk ishe vetëm, por kishe frikë ta kuptoje. Zërat kërcënues ishin shumë. Hynin në kokën tënde të turbulluar nga lotët që nuk guxoje t’i derdhje, për të mbytur zërin e arsyes, zërin e njeriut që ishe. Nuk kishe afër zërin e ngrohtë mashkullor që të zgjonte, duke të premtuar se do ta lije pas rrugën e varfër ku u rrite ndërsa ëndrrat po thaheshin, zërin që të bënte të ndiheshe e veçantë, e pakushtëzuar në dashuri, por prapë nuk ishe vetëm.

Duhet ta dorëzoje kokën më shpejt në prehërin e nënës dhe t’i rrëfeje se si ajo që mendove se ishte dashuria e parë, u shndërrua në pengmarrje, se qielli i kaltër ku zgjodhe të fluturoje fshehtas, u shndërrua në qeli minjsh të uritur dhe ti, me duart e lidhura nuk mund të bëje asgjë për ta përballuar urinë e tyre.

Brejtësit e pistë arritën të shkatërronin gjithcka kishe ndërtuar në të ardhmen, në të tashmen, në të shkuarën.

Nuk ishe vetëm. Nuk je vetëm. Je akoma ti, me plagët që nuk duken. Nuk ke asnjë plagë të pashërueshme. Në këtë jetë të gjatë dhe në këtë botë të madhe, ka aq shumë ilace për plagët e shpirtit. Mjafton të kërkosh. Merri gjithë kujtimet e bukura dhe ik aty ku ndoshta nuk ka shumë gjëra, por ka kujdes për njerëzit.

Ky është një shans që ndoshta nuk do ta shfrytëzoje kurrë, për të ikur pa e kthyer më kokën pas. Mendja dhe zemra do t’i ringjallin ëndrrat, do ta rizbulojnë dashurinë, do të ta kthejnë besimin.

Ik, por kudo që të shkosh, mos harro se nuk je vetëm. Janë dy njerëz në botë që kurrë nuk do të të shpallin fajtore për ëndrrat që të vranë, por do të të shpallin fajtore nëse dorëzohesh, nëse mendon se je vetëm. /dosja.al