Nga Edi Oga
Shoqëria është detyrimisht shprehje e bashkëjetesës së organizuar e të gjithë individëve që e përbëjnë.
Sigurisht që njerëzit e ditur dhe të mundur, duhet të japin kohë dhe para nga të tyret për të edukuar edhe individët që rrjedhin nga familje të pamundura dhe të paditura.
Nëse nuk e bëjnë këtë, e papritura e keqe herët a vonë do t'u "trokasë në derë".
Çdo çift në moshë riprodhuese është i aftë të prodhojë individë, por jo të gjithë janë në gjendje t'i pajisin ata qoftë edhe me nocionet elementare të pjesmarrjes në shoqëri. Këta individë formëzohen nga "modele" ndaj të cilëve ekspozohen përsa kohë jashtë ndikimit të familjes, aty ku shpenzojnë edhe më tepër kohën aktive. (Familja gabimisht njehsohet me termin shtëpi, vend ku hahet, pihet, flihet dhe nevoja të tjera bazike si këto).
Një individ i tillë, në rritje, influencohet më së tepërmi nga mësuesit në shkollë dhe shoqëria, në kuptimin e personave që frekuenton. Mësuesit e sotëm janë profesionistë në përgjithësi mediokër, të nënpaguar dhe jo fort të ndërgjegjshëm për misionin e tyre. Për këta individë që kanë nevojë më së shumti për afeksionin e munguar nga familja, mësuesi shpesh është një autoritet ndëshkues që duhet evituar.
Në mungesë të shkëmbimit serioz të afeksionit dhe dijes me të rriturit, këta fëmijë rriten me frymën e grupeve moshatare sektare. Çdo grup ka botëkuptimin e vet, rregullat dhe modelet e veta frymëzuese, që ua servir media. Medet në ditët e sotme, teknologjia i jep çdo kujt në moment, pafund të replikueshme, atë që do. Për dreq, në shumicën e vet, ushqimi që media transferon në mendjet dhe shpirtrat e këtyre individëve të brishtë, me qëllim ose jo, është jo i duhuri, shpesh i helmatisur dhe jo rrallë i rrezikshëm.
Të rinjtë e sotëm kanë prindër 'part time'. 'Full time' kanë vetëm modelet e rrjeteve sociale dhe televizioneve, ndërsa këshilltarë për sjelljen dhe veprimet e tyre ndaj të tretëve, shokët e grupit që frekuentojnë, rigorozisht po aq injorantë dhe të keqformuar si ata vetë!
Ndryshimin e kanë në dorë vetëm njerëzit e ndjeshëm, të mençur, të pushtetshëm dhe të pasur. Për fat të keq, sot gjen fare pak të tillë me të katërta cilësitë njëkohësisht. Madje edhe tre nga katër, rrallë kombinohen…