Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg Esat Canin për vrasjen e Arben Gjeçit, ndërsa për motrën e tij, Elidën, vendosi “Arrest shtëpie”.
E njëjta masë u dha edhe për bashkëshortin e saj, Dëfrim Kurtin. Por ekzekutimi i kësaj mase sigurie nuk është bërë në banesën e familjes Kurti, ku jetonte më parë çifti, pasi Dëfrimi nuk ka pranuar që Elida të shkonte më aty.
Mësohet se Elida Cani ndodhet nën arrest shtëpie te shtëpia e prindërve të saj. Përveç kësaj, duket se ai ka vendosur të ndahet përfundimisht nga bashkëshortja, pas tradhtisë së saj me shtetasin Arben Gjeci, i cili gjeti vdekjen nga vëllai i të dashurës së tij.
Në dëshminë që Dëfrim Kurti dha për oficerët e Policisë Gjyqësore sqaroi rrethanat se si ishte vënë në dijeni për ngjarjen.
Ai është personi që e ka transportuar viktimën larg shtëpisë dhe ka marrë në telefon një të afërmin e tij, duke i thënë se ka gjetur dikë të shtrirë në rrugë që lëshon zhurma dhe ka frikë t’i afrohet.
Ndërsa për ngjarjen ishte lajmëruar nga e shoqja, e cila kishte fshehur edhe gjurmët e gjakut të viktimës.





