Gjykata e Durrësit ka vendosur sot të lërë në burg 7 adoleshentët të cilët kryen marrëdhënie seksuale me një të mitur në qytetin e Kavajës. Akuza e ngritur për ta është “marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se të gjithë djemtë e arrestuar e kanë pranuar që kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën. Ata kanë thënë se e merrnin vajzën në shtëpitë e tyre pas përfundimit të mësimit.
Sipas të njëjtave burime, djemtë i bënin presion 14-vjeçares dhe e detyronin të shkonte në banesat e tyre njëri pas tjetrit, kur prindërit e tyre ndodheshin në punë.
Për këtë ngjarje janë marrë në pyetje mësuesja kujdestare dhe drejtoresha e shkollës “Rilindja”, të cilat gjatë marrjes në pyetje kanë thënë se nuk dinin gjë për këtë rast.
Vajza e mitur ka pranuar përdhunimin nga djemtë dhe ka rrëfyer për kërcënimet dhe abuzimet që i janë kryer, në prani të psikologes dhe punonjëses sociale.
NJOFTIMI I GJYKATËS SË RRETHIT GJYQËSOR DURRËS:
Sot, në datën 04.02.2019, ora 10:30 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës është zhvilluar seanca gjyqësore për marrjen në pyetje dhe caktimin e masës së sigurimit personal ndaj 7 personave të mitur, të cilët dyshohen se kanë kryer në dëm të një shtetaseje të mitur veprime që përbëjnë elementë të veprës penale të “Marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal.
Seanca gjyqësore është zhvilluar me dyer të mbyllura sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe Kodit të Procedurës Penale për shkak të moshës së mitur të të dyshuarve dhe viktimës së veprës penale, si dhe për shkak të natyrës së çështjes.
Në përfundim të seancës gjyqësore në orën 13:00, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” për të 7 të dyshuarit e mitur ndaj të cilëve kjo masë sigurimi ishte caktuar nga gjykata në datën 01.02.2019. Kjo masë sigurimi është caktuar mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës për 8 të mitur të dyshuar për të njëjtën vepër dhe është ekzekutuar në datën 02.02.2019 për 7 prej tyre.
Në momentin që vendimi gjyqësor do të depozitohet i arsyetuar, ai do të jetë i disponueshëm për publikun në përputhje me parashikimet e Kodit të Drejtësisë Penale për të Miturit dhe ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” (i ndryshuar).





