Investitori strategjik i njohur Mohamed Alabbar ka pranuar se mënyra si u zhvillua projekti i ndërtimit në Portin e Durrësit ishte një gabim, duke theksuar se procesi u ndërmor me nxitim.
Në një intervistë të publikuar më 1 gusht, themeluesi i kompanisë Eagle Hills tha se në rastin e Shqipërisë kishte vepruar shumë shpejt dhe se ky ishte një nga vendimet për të cilat kishte reflektuar.
“Për shembull, në Shqipëri e ndërtova shumë shpejt. Ishte një gabim,” deklaroi Alabbar.
Lidhur me deklaratën e tij ka pasur disa reagime nga figura të ndryshme të vendit. Profesori Osman Metalla, thotë se nëse ky interpretim qëndron, atëherë ai meriton të na bëjë të reflektojmë seriozisht mbi mënyrën se si është trajtuar një nga projektet më të rëndësishme për të ardhmen e Portit të Durrësit.
REAGIMI I OSMAN METALLËS:
Që në momentin e parë, shumë ekspertë, profesorë dhe intelektualë ngritën shqetësimin se ky projekt, në formën e tij aktuale, rrezikonte të dobësonte funksionin strategjik të Portit të Durrësit, në vend që ta forconte atë. Fatkeqësisht, pas gati gjashtë vitesh, shumë nga ato paralajmërime duket se kanë marrë formë.
Sot shohim se ndërtimet në zonën rezidenciale kanë nisur, ndërsa për komponentin më jetik – portin e ri tregtar – ende nuk është përfunduar as procedura për përzgjedhjen e kompanisë zhvilluese. Kjo do të thotë se Shqipëria vazhdon të mos ketë një zgjidhje të qartë për të ardhmen e portit më të madh të vendit.
Ndërkohë, portet e rajonit po investojnë, po zgjerojnë kapacitetet dhe po konkurrojnë për të tërhequr linjat ndërkombëtare të transportit. Çdo vit vonesë e dobëson pozicionin konkurrues të Durrësit dhe rrezikon të humbasë një avantazh strategjik që është ndërtuar ndër dekada.
Çështja nuk është më politike. Është një çështje e interesit kombëtar. Shqipëria ka nevojë për një port modern, funksional dhe konkurrues, sepse nga ai varen tregtia, ekonomia dhe roli ynë në korridoret rajonale të transportit.
Më poshtë po ripublikoj një analizë që kam shkruar në shkurt të vitit 2022. Fatkeqësisht, shumë nga shqetësimet e ngritura atëherë mbeten po aq aktuale edhe sot.
ANALIZA E PUBLIKUAR NË VITIN 2022
Ndoqa me vëmëndje prezantimin e kompanisë e cila kishte bërë projektin e Portit të Ri të Durrësit. Një projekt mjaft i bukur, i cili na bën të ndihemi mirë kur shohim një projekt të tillë mjaft ambicioz, futuristik, të cilin Amsterdami, Rotterdami, Antwerpi, Hamburgu, Le Havre apo cilido port tjetër në Evropë do ta kishte zili!
Sërish përsëris faktin se Durrësi ka nevojë për rialokim të disa operacioneve Portuale dhe se që të marrë rolin e një porti HUB duhet të zhvillohet jo vetëm porti por dhe lidhjet logjistike që do të shërbenin për lëvrimin e ngarkesave. Dhe në projekt paraqiteshin lidhjet hekurudhore (të cilat së paku duan një dekadë të ndërtohen) lidhjet rrugore, një Dry Port në Prishtinë si dhe elementë të tjerë. Të gjithë këto elementë të domosdoshëm për funksionimin e portit!
Në kushte normale një port i përmasave mesatare do të kushtonte 600 – 800 milion €. Ndërkohë një port i tillë i cili mendohet të ndërtohet i gjithi në tokë (sipas projektit të propozuar) duhet që i gjithe bazeni i portit të gërmohet (dragohet) dhe natyrisht që kostot ndërtimore janë të paktën 2 herë më të larta se sa vlera e sipërcituar. Dhe e gjitha kjo për shkak të shfrytëzimit të pastudiuar që i është bërë zonës së gjirit të Porto Romanos në vite. Pikërisht për të integruar ndërtimet ekzistuese portuale (dy portet e hidrokarbureve), duhet të futemi shumë thellë në tokë për të ndërtuar terminalin e ngarkesave të përgjithëshme dhe atë të konteinerëve. Nëse para se të jepeshin koncensionet, zona do të ishte studiuar dhe do të kishte një plan të shfrytëzimit optimal të zonës për zhvillimin e kapaciteteve portuale, sot do të kishim jo vetëm një pamje tjetër por dhe një faturë të kostove të ndërtimit në vlerë shumë më të vogël se sa ç’mund të jetë fatura e ndërtimit të portit në këto kushte.
Gjithësesi, shqetësimi kryesor në këtë moment janë pikërisht pyetjet:
Kush do ta paguajë faturën e ndërtimit të Portit të Ri?
A do të jetë Kompania EMMAR e cila pa asnjë detyrim mer portin e Durrësit për ta shndërruar në marine për të bërë një investim 2 miliardë euro? (sërish krahasoni pak një port që do të ndërtohet nga e para do të kushtojë të paktën 2 miliardë dhe marina në Durrës që është pothuaj e ndërtuar do të kushtojë po 2 miliard Euro??)
A është bërë një studim i vlerësimit të raportit Kosto/Benefit që do të ketë ky port?
Në rrafsh botëror të ardhurat (revenues) që vijnë nga operimi i terminaleve të konteinerëve janë nga 38 -40 miliardë dollar në vit, në një kohë kur vëllimi vjetor botëror i Konteinerëve arrin në 841 milion TEU.
A është e mundur që një investim i tillë të shlyhet në 25-30 vite kur trafiku i ardhshëm në 30 vitet në vijim nuk besoj se kalon 0,35-0,4 milion TEU?
I shkruaj këto jo për të bërë “avokatin e djallit” por për të qenë realist, për tu shkëputur nga ëndrrat dhe për të parë realitetin.
Nuk po futem në çështjet e transparencës pasi dhe në raportin e vitit 2021 të paraqitur nga ana e Komisionit Evropian për Shqipërinë (Raporti i Komisionit në Komitetin e Marëdhenieve me jashtë – 26.04.2022) përmëndet në mënyrë eksplicite dhe çështja e portit të Durrësit ku specifikisht thuhet: recalls that infrastructure projects, including in the port of Durrës, must comply with EU standards on public procurement contained in the Stabilisation and Association Agreement; (kujton sërish se projektet infrastrukturore, duke përfshirë atë në Portin Durrës, duhet të jenë në përputhje me Standartet e EU sa i përket prokurimit public të cilat janë përcaktuar në marëveshjen e Asociim Stabilizimit)
Përshendes ç’do projekt dhe zhvillim por për aq kohë sa është në përputhje me interesat tona ekonomike dhe kombëtare dhe njëkohësisht brënda të besueshmes!





